Zemaj apelon që të mos manipulohet me numrin e vdekjeve

Zemaj apelon që të mos manipulohet me numrin e vdekjeve

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka qëndruar sot për vizitë në spitalin rajonal të Gjakovës, nga ku ka bërë thirrje që të mos manipulohet me numrin e vdekjeve nga COVID-19.

Ai ka bërë thirrje për respektim të masave, duke shtuar se vetëm kujdesi mund të mënjanojë që sistemi i shëndetësisë të mos rëndohet.

Që ky sistem të mos rëndohet, bëj thirrje që të ketë kujdes të shtuar dhe gjithashtu apeloj që kjo situatë të mos përdoret politikisht dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve. Beteja jonë politike nuk duhet të bëhet në situatë të tillë fragjile. Në anën tjetër, edhe njëherë falënderoj të gjithë qytetarët që edhe sot po tregojnë mirëkuptim dhe përmbajtje”, ka thënë ministri Zemaj.

Zemaj iu ka shprehur ngushëllime familjeve të tri viktimave që dje u raportuan të vdekur në spitalin e Gjakovës, në mesin e tyre edhe mjeku, Kujtim Zarari. Ndërkaq deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha kishte shkruar në llogarinë e tij në Facebook, se për dy orë në spitalin e Gjakovës kanë vdekur 5 pacientë.