Ukraina përjashton lëshimet territoriale, ndërsa Rusia shton sulmet

Ukraina përjashton lëshimet territoriale, ndërsa Rusia shton sulmet

Sirenat e sulmit ajror u ndezën në të gjithë Ukrainën të hënën në mëngjes, duke dhënë alarmin e përditshëm përpara sulmeve të parashikuara nga forcat ruse në lindje dhe jug të vendit.

Rusia ka shtuar goditjen e saj në rajonet e Donbasit dhe Mykolaivit me sulme ajrore dhe zjarr artilerie, në atë që Ukraina e ka përshkruar si një strategji për të fituar kontrollin e frontit lindor, shkruan Reuters.

Ndërkohë, Ukraina ka përjashtuar mundësinë e një armëpushimi ose lëshimi territorial ndaj Rusisë.

“Lufta duhet të përfundojë me rivendosjen e plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës,” tha Andriy Yermak, shefi i kabinetit presidencial të Ukrainës, në një postim në Twitter një ditë më parë.

Në anën tjetër presidenti polak Andrzej Duda ofroi mbështetjen e Varshavës, duke u thënë ligjvënësve në Kiev të dielën se komuniteti ndërkombëtar duhej të kërkonte tërheqjen e plotë të Rusisë dhe se sakrifikimi i çfarëdo territori do të ishte një “goditje e madhe” për të gjithë Perëndimin.

“Janë shfaqur zëra shqetësues që thonë se Ukraina duhet të dorëzohet ndaj kërkesave të Putinit”, tha Duda, i cili iu drejtua parlamentit ukrainas personalisht të dielën.

“Vetëm Ukraina ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e saj.”

Ukraina dhe Polonia kanë rënë dakord të vendosin një kontroll të përbashkët doganor kufitar dhe të punojnë në një kompani të përbashkët hekurudhore për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve dhe për të rritur eksportet e Ukrainës.

Ndërkohë Ukraina e ka zgjatur ligjin ushtarak për tre muaj deri më 23 gusht./Aleanca.press/