Thaçi: Dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit shpreheni nga largësia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga qytetarët të jenë të durueshëm dhe të përgjegjshëm në këto rrethana jo të lehta si pasojë e pandemisë me të cilën po përballet gjithë bota.
“Ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe mbajtja e distancës fizike nga njerëzit e dashur, nga familja dhe shoqëria, nga vendet e punës, me masat e ndërmarra parandaluese, nuk ka qenë i lehtë për asnjë prej nesh. Kjo është kohë e rëndë për të gjithë!”, ka shkruar Thaçi.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Thaçi ka apeluar tek qytetarët për respektim të të gjitha masave dhe rekomandimeve nga institucionet e shëndetësisë.
“Sot është tejet e rëndësishme që të tregohemi të durueshëm dhe të përgjegjshëm, duke i respektuar të gjitha masat dhe rekomandimet që vijnë nga IKSHPK, OBSH dhe institucionet përgjegjëse”, është shprehur Thaçi.
Ai ka thënë se dashurinë mund ta shprehim edhe në distancë.
“Sot, qytetari e përgjegjshme është ajo që njëri-tjetrit t’ia shprehim edhe dashurinë e respektin nga largësia”, është shprehur ai. /aleanca.press/
Ndryshimi i mënyrës së jetesës dhe mbajtja e distancës fizike nga njerëzit e dashur, nga familja dhe shoqëria, nga...
Posted by Hashim Thaçi on E mërkurë, 5 August 2020