Rëndohet situata te Infektivi, 14 pacientë në gjendje të rëndë

Rëndohet situata te Infektivi, 14 pacientë në gjendje të rëndë

Me dy viktimat e shënuara në 24 orët e fundit ka shkuar në 83 numri i viktimave si pasojë e koronavirusit në vend, duke e rënduar situatën.

Kjo pasi dy qytetare kanë humbur jetën në spitalin infektiv, ku po trajtoheshin në terapi intensive si pasojë e simptomave të rënda të shkaktuara nga Covid-19.

Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit.

Ndërkohë situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar.

Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital, prej tyre 14 në gjendje të rëndë.

Më konkretisht 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje kritike.

Ndërsa në orët e fundit u konfirmuan 68 infektime të reja, aktualisht janë 1232 persona aktivë me Covid-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve: Tiranë 488; Durrës 222; Shkodër 161; Vlorë 120; Lezhë 65; Fier 42; Korçë 31; Elbasan 28; Kukës 28; Berat 20; Gjirokastër 15 dhe Dibër 12./Aleanca.press/