Qeveria e Kosovës bënë thirrje për qetësi: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare

Qeveria e Kosovës bënë thirrje për qetësi: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare

Qeveria e Republikës së Kosovës përmes një komunikate për medie ka ftuar qytetarët e Kosovës për qetësi, pas publikimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale të ngritur ndaj Presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

 

Komunikata e plotë e Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli. Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit./aleanca.press/