'Ofertat e Telekomit', 287 punëtorë zgjodhën ndërprerjen vullnetare të kontratës, 72 tjerë pensionimin e parakohshëm

'Ofertat e Telekomit', 287 punëtorë zgjodhën ndërprerjen vullnetare të kontratës, 72 tjerë pensionimin e parakohshëm

Më 25 mars të këtij viti, ishte raportuar se punëtorët e Telekomit të Kosovës kishin pranuar një e-mail, ku atyre u ofrohej një pako me dy mundësi. Përmes kësaj shkrese, punëtorëve të Telekomit iu bë e ditur se mund të zgjedhin pensionim të parakohshëm nga vendi i tyre i punës ose ndërprerje të kontratës në mënyrë vullnetare. Pas përfundimit të afatit për aplikim, nga Telekomi i kanë thënë Gazetës Online Reporteri.net se në total kanë pranuar 359 aplikime për t’i ekzekutuar këto dy opsione.

Në e-mailin me titull ‘Ofertë me pako vullnetare për punëtorët’, Telekomi i Kosovës i njoftoi punëtorët për kushtet e aplikimit për këtë pako. Mundësia për pensionim të parakohshëm u ofrohej vetëm punëtorëve që, në kushte normale, do të dilnin në pension në katër vitet e ardhshme, pra 2023-2026 kurse mundësia për ndërprerje vullnetare të kontratës i ofrohej secilit punëtor.

Anipse data e fundit për aplikim për këtë pako dalëse ishte vendosur të jetë 25 prilli 2022, ankesat e shumta nga punëtorët që nuk arritën të aplikonin as brenda këtij afati, bënë që aplikimi të shtyhet deri më 10 maj 2022.

Telekomi i Kosovës njoftoi se në periudhën shtesë të afatit, numri i aplikimeve u rrit.

“UD e Kryeshefes Ekzekutive e kishte zgjatur afatin e aplikimit deri më datën 10.05.2022 me kërkesë të sindikatave, të arsyetuar me të dhënat e tyre se një numër i punëtorëve të interesuar nuk kishin arritur të aplikojnë deri më 25.04.2022 kur u përmbyll afati. Pas 25.04, kemi pasur edhe një numër të aplikimeve.”, kanë thënë nga Telekomi.

Numri total i të punësuarve që kanë aplikuar është 359, ku 72 prej tyre kanë aplikuar për mundësinë e pensionimit të parakohshëm, kurse 287 të tjerë për ndërprerje vullnetare të kontratës, shkruan Reporteri.net.

Aplikimet e pranuara tashmë do shqyrtohen nga një komision përkatës deri më 17 maj, dhe shumë shpejt do të dilet me një listë përfundimtare të rezultateve.

“Një komision profesional i themeluar nga UD e Kryeshefes Ekzekutive do të punojë deri me datën 17 maj 2022, për të pasur një listë përfundimtare të punësuarve që do t’u aprovohet kërkesa për largim vullnetar, me kompensimin përkatës.”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Ndryshe, ata punëtorë që zgjedhin pensionimin e parakohshëm do të përfitojnë 60 për qind të pagës aktuale bruto për periudhën e mbetur deri në pensionim, derisa atyre që vullnetarisht ndërpresin kontratën e punës do t’u jipen përnjëherë 24 paga bruto.