Një brez i ri i vajzave po thyejnë barrierat sportive në Indi

Një brez i ri i vajzave po thyejnë barrierat sportive në Indi

Në një mëngjes të ftohtë dimri në qytetin verior të Indisë, Lucknow, një grup vajzash të reja po ngrohen në dyshekë mundjeje ndërsa në sfond dëgjohet muzikë.

Në mesin e tyre ishte një fytyrë e famshme – 26-vjeçarja Vinesh Phogat. Ajo buzëqesh dhe shikon vajzat derisa po i bënin ushtrimet me fokus të veçantë. Palestra është e mbushur plot dhe përtej muzikës nuk dëgjohet asnjë fjalë.

Është një skenë serioze përqendrimi, por nuk mund të ketë dyshime – diçka shumë e rëndësishme po ndodh. Një fituese e medaljes së bronztë në Kampionatin Botëror në vitin 2019, Phogat, ishte femra e parë indiane që fitoi të artën si në Lojërat e Komonueltit ashtu edhe në ato të Azisë. Për shumë nga vajzat e reja që stërviteshin në palestër, historia e Phogatit është një frymëzim. E kaluara e saj e bën rrëfimin edhe më të mrekullueshëm.

Phogat vjen nga një fshat i vogël në Haryana, një shtet verior me një nga raportet më të çekuilibruara gjinore në Indi. Në shtetin e saj të lindjes, ka dukshëm më pak femra sesa meshkuj, një fenomen i shpjeguar pjesërisht nga aborti. Në sytë e shumë prej shoqërive konservatore rurale që e formuan atë, një djalë është një bekim, një vajzë një barrë. Këtu pritshmëria shoqërore dikton që një vajzë e kujdesshme duhet të vishet dhe të sillet në një mënyrë të caktuar, ndërsa përcakton një rrugë të aprovuar drejt bërjes së një gruaje dhe nëne të përkushtuar.

Pavarësisht kësaj, edukata e Phogatit ishte e ndryshme. Ishte xhaxhai i saj që vendosi që të gjitha vajzat e familjes të merreshin me mundje. Kjo tërhoqi shumë kundërshtime dhe polemika. Phogat tregon në dialektin e saj lokal Haryanvi: “Gjithë ferri shpërtheu në fshat kur xhaxhai im filloi të na trajnonte neve vajzave në fillim të viteve 2000. Njerëzit flisnin gjithçka për ne. Ne motrat kishim flokë të shkurtër dhe do të vishnim pantallona të shkurtra në fshat derisa stërviteshim, kurse zonjat shkonin të nëna ime duke i thënë asaj se unë duhej t’i mbuloja këmbët. Nëna ime gjithashtu do të ndihej e turpëruar, por ne luftuam kolektivisht. Dhe medaljet ndërkombëtare dëshmuan se të gjithë gabuan në paragjykimet që i kishin”.

Duke kapërcyer varfërinë, patriarkatin dhe sfidat tjera, Phogat është vetëm një nga shumë figurat moderne që shfaqin frymën në rritje të sportisteve indiane. Ajo e gjeti frymëzimin në një moshë edhe më të re sesa vajzat që ishin tubuar përreth saj. Por atëherë, edhe pse vetëm dy dekada më parë, kishte shumë më pak ikona për t’i shikuar.

Frymëzimi nga peshëngritësja

Phogat ishte gjashtë vjeçe kur e shikoi në televizor Karnam Malleswarin qe e fitoi medaljen e parë olimpike të Indisë në konkurrencën e femrave: një të bronztë në peshëngritje në Lojërat Olimpike të Sydneyt.

“Data është ende e gdhendur në kujtesën time: 19 shtator 2000. Ishte një moment i rëndësishëm për sportin e femrave në Indi”, insiston Phogat.

Që atëherë, katër femra indiane kanë pretenduar suksesin olimpik; boksierja Mary Kom, mundësja Sakshi Malik dhe yjet e badmintonit Saina Nehwal dhe PV Sindhu. Kom 37 vjeçe është shpallur gjashtë herë kampione e botës dhe ka fituar medaljen e artë në Lojërat e Komonueltit. Ajo vjen nga një fshat i vogël në shtetin verilindor të Indisë, Manipur, ku për shumicën e femrave pas martese, jeta është e kufizuar në shtëpinë e familjes. Ajo nuk i vuri dorezat në gozhdë pasi u martua. Ajo ishte nënë e tre fëmijëve kur u bë kampione e botës dhe tani me katër fëmijë për t’u kujdesur, Kom është kualifikuar në Lojërat Olimpike të Tokios.

“Ajo që arrita pasi u bëra nënë është diçka tjetër”, thotë boksierja.

Ky lloj suksesi i jashtëzakonshëm ndërkombëtar fluturon përballë një injorance të përhapur në qëndrimet ndaj femrave sportiste në disa pjesë të Indisë.

Në një sondazh të kryer në vitin 2020, një e treta e të anketuarve identifikuan një ose më shumë sporte si të papërshtatshme për femrat. Këto përfshinin mundjen, boksin dhe peshëngritjen – pikërisht disiplinat ku po shkëlqejnë shumë sportiste indiane.

India ka fituar 13 medalje olimpike që nga Lojërat Olimpike të Sydneyt në vitin 2000 dhe femrat i posedojnë pesë prej tyre. Është një shenjë e ndryshimit të peizazhit sportiv të vendit. 15 medaljet e fituara para vitit 2000 ishin të gjitha të fituara nga meshkujt. Po të mos kishin qenë sportistet femra të Indisë në Rio në 2016, kombi do të ishte kthyer duarbosh nga Olimpiada për herë të parë që nga viti 1992. Edhe nëse disa indianë qëndrojnë të ngulitur në pikëpamjet e tyre konservatore, këto suksese kanë shkaktuar një reagim zinxhiror, me gjithnjë e më shumë sportiste të reja. Familjet e tyre tani janë të inkurajuara dhe të frymëzuara për të luftuar përsëri kundër barrierave që mbajnë kaq shumë të tjerë prapa. Dhe shumë prej këtyre historive të suksesit nuk burojnë vetëm nga qytete me ambiente të buta, por nga qytete dhe fshatra modeste e të vogla, vende të paprivilegjuara që ndonjëherë janë të vështira për t’u gjetur edhe në “Google Maps”.

Tregimi i Burmanit

Swapna Burman, 24 vjeçe, që garon në Heptatlon, është vajza e një karrocieri dhe punëtori të plantacioneve të çajit. Duke u rritur në një komunitet të vogël afër kufirit të Indisë me Bangladeshin, familja e saj shpesh nuk kishte para të mjaftueshme për të siguruar jetesën.

“Kur isha e re babai im pësoi një goditje në tru dhe u paralizua. Fillova të marr pjesë në gara të vogla atletike, duke fituar një shumë të vogël parash si shpërblim për të ndihmuar familjen”, kujton ajo.

Puna e madhe bëri që Burman të fitojë medaljen e artë në Lojërat Aziatike të vitit 2018. Ajo thotë se kjo arritje është edhe më e veçantë duke marrë parasysh se ajo ka gjashtë gishtërinj në secilën këmbë dhe u përpoq të gjente këpucët e duhura për të përmbushur kërkesat e saj të veçanta.

Divya Kakran, 22 vjeçe, është një shembull tjetër. Duke ardhur nga një fshat i vogël në shtetin verior të Uttar Pradesh, ajo dhe vëllai i saj ishin të etur për mundje, por familja e saj ishte aq e varfër sa mezi mund të përballonte madje edhe një gotë qumësht për fëmijët. Babai i Kakran Suraj Sain thotë: “Ne kishim një zgjedhje të vështirë për të bërë. Me të ardhurat e pakta, ose mund ta stërvitja vajzën time që të ishte mundëse ose djalin tim. Gruaja ime fillimisht ishte kundër idesë së Divya të hynte në mundje. Por unë e njihja vajzën time. Ajo kishte pasion dhe aftësi më të mira për të shkëlqyer. Djali im bëri me dëshirë sakrificën dhe ne i vumë burimet tona në Divyan”.

Kakran shpejt rrëmbeu titujt kryesorë të gazetave nëpër zonat lokale: “Vajza tetëvjeçare mund djemtë vendës në turnetë e mundjes në fshat”, shkruanin mediat.

Edhe ajo vetë pranon se rruga deri te suksesi nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Kur fillova te mundja djemtë papritmas të gjithë e vunë re. Unë fillova të fitoj shuma si 30 funte për një turne. Unë kurrë nuk kisha parë kaq shumë para në jetën time. Unë kurrë nuk kam shikuar prapa dhe për këtë arsye kam pasur sukses”, shtoi Kakran.

Sportistet indiane jo vetëm që kanë fituar medalje, por triumfuan në thyerjen e shumë stereotipave gjinorë të vazhdueshëm përgjatë këtij rrugëtimi. Këto sportiste kanë të qartë në vizionin e tyre, të vendosura, të pasionuara, të uritura për sukses dhe mundësitë që u ishin mohuar gjatë.

Shumë përparim është bërë që nga ditët kur ishin vetëm sportistët meshkuj indianë që shkëlqenin në skenat më të mëdha ndërkombëtare, ndërsa femrat pothuajse mungonin. Një nga të parat që depërtoi ishte PT Usha – dhe ajo tani po luan një rol kryesor në frymëzimin e brezit të ardhshëm. Sprinterja legjendare Usha u bë atletja e parë indiane që arriti në një finale olimpike, në 400 metra me pengesa në Los Angeles në vitin 1984. Ajo ishte afër medaljes së bronztë duke përfunduar e katërta me vetëm një të qindtën e sekondit prapa vendit të tretë. Usha u quajt “Payyoli Express”, një nderim për fshatin e saj në Kerala. Ajo ishte ndoshta ikona e parë e vërtetë e sporteve femërore në Indi. Aventura e saj olimpike ndihmoi t’u jepte femrave tjera të reja besimin se edhe ato mund ta bënin një gjë të tillë. Sot, ajo drejton akademinë e saj me ëndrrën për të prodhuar olimpistë të ardhshëm.

“Femrat mund të bëjnë mrekulli”, thotë ajo.

“Nëse unë isha afër medaljes së bronztë, atëherë edhe femrat e tjera të Indisë mund ta bëjnë një gjë të tillë. Ndoshta ato duhet të kalojnë shumë pengesa, por nuk duhet të dëshpërohen kurrë”./Aleanca.press/