Joseph: Nuk shoh shteg drejt marrëveshjes Kosovë-Serbi

Joseph: Nuk shoh shteg drejt marrëveshjes Kosovë-Serbi

Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se në takimin e 12 korrikut midis Kosovës dhe Serbisë mund të priten hapa, të tillë si përmirësimi i tregtisë apo rritja e investimeve.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk sheh shteg drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme.

Mendoj se do të shohin mënyrat për rindërtimin e besimit dhe për disa përmirësime konkrete. Zëdhënësi [i Bashkimi Evropian] e tha që ‘ne duam që [dialogu] të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese’, që do të zgjidhë problemin rreth Kosovës. Ky është qëllimi, kjo është e nevojshme, por a ka shteg drejt kësaj? Nuk jam i sigurt. Shpresoj dhe pres të ketë disa hapa pozitivë, që janë të mirë, edhe nëse nuk i çojnë palët konkretisht në një zgjidhje”, ka thënë Joseph

Ai ka thënë ky dialog nuk është i ri, ai ka nisur më 2013 dhe ka dalë nga një bashkëpunim shumë i ngushtë diplomatik midis SHBA-së dhe BE-së

Ky dialog nuk është i ri, ka nisur në vitin 2013 dhe ka dalë nga një bashkëpunim shumë i ngushtë diplomatik midis SHBA-së dhe BE-së. Kjo edhe ka çuar në Marrëveshjen e Brukselit më 2013. Por, problemi është se procesi, hap pas hapi, ka ngecur. Dhe, ka shumë hapa konkretë praktikë që mund të bëjnë ndryshime në jetën e njerëzve, që mund të adresohen, që do të ishin pozitivë dhe do të përmirësonin atmosferën dhe potencialisht marrëdhëniet. Por, a e arrijnë ata atë që BE-ja ka thënë se është qëllim: marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe detyruese? A arrihet kjo? Unë nuk e shoh shtegun drejt saj, ndoshta të tjerët po, por unë nuk shoh shteg”, ka shtuar Joseph.

Nuk duket se do tw ketë kompromis midis dy palëve.

Nuk shoh kompromis. Duhet theksuar se nuk është vetëm pala e Kosovës që ka thënë se nuk ka kompromis për integritetin territorial. Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, e ka thënë këtë. Edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili do të jetë nikoqir i takimit, e ka përsëritur këtë. Pra, jo vetëm pala kosovare thotë se nuk ka kompromis për integritetin territorial. Këtë e thonë edhe ndërmjetësuesit. Çështja tani është te Beogradi. Çfarë do të pranonte Vuçiq dhe përse do ta pranonte? Le të kujtojmë se atij i është ofruar territor nga udhëheqja e mëparshme e BE-së. Duhet të pyesni se përse do të pranonte diçka më pak tani”, ka thënë ai.

Pra, ku është qëllimi i dialogut?

Edward Joseph: Qëllimi është ai që e kanë deklaruar. Qëllimi është shumë serioz dhe i duhur. Mendoj se është pozitive dhe inkurajuese që BE-ja i ka vendosur këto standarde dhe kritere shumë të larta për qëllimin, që është zgjidhja gjithëpërfshirëse dhe detyruese e kësaj mosmarrëveshjeje. Ata mund të kenë thënë se duam proces të diskutimeve, por nuk e kanë thënë; ata kanë bërë thirrjen e duhur për qëllimin. Pyetja është: cila është rruga? Si e arrini atë qëllim?

Rreziku i këtij dialogu është të ekzistojë iluzioni i një procesi dhe iluzioni i përparimit

Të gjitha kryeqytetet që janë vërtet të shqetësuara për këtë çështje, duhet t’ia bëjnë vetes këtë pyetje seriozisht. Rreziku i këtij dialogu është të keni iluzionin e një procesi dhe të keni iluzionin e përparimit. Në fakt, mund të ketë ca përparim në aspektin e përmirësimit të marrëdhënieve tregtare dhe kjo duhet inkurajuar. Çdo gjë që mund t’i përmirësojë marrëdhëniet, t’i zvogëlojë tensionet, të përmirësojë ekonominë, të përmirësojë tregtinë, të krijojë vende pune, është e mirë, është pozitive dhe duhet të inkurajohet nga të gjithë. Por, a i përgjigjen këto pyetjes themelore që ju shtruat? Nuk jam i sigurt që po, nuk jam i sigurt që çojnë në arritjen e qëllimit përfundimtar”, ka shtuar ai

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shumicën në kuvend me vetëm një ulëse më shumë, ndërsa Vuçiq ka festuar fitoren e bindshme në zgjedhje vetëm pak javë më parë.

Mendoj se është një faktor shtesë ndërlikues dhe është shumë serioz. Ju keni dy aspekte këtu. Nuk ka vetëm çekuilibër dhe mospërputhje në aftësitë e secilës palë për të negociuar. Nuk ka të bëjë vetëm me shumicën me një ulëse. Prishtina ka tani aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi [v.j. aktakuza për krime lufte është paraqitur nga Zyra e Prokurorit Special, por nuk është konfirmuar nga gjykatësi i procedurës paraprake]. Kjo situatë hedh hije mbi politikën e Kosovës. Kjo situatë e ndërlikon shumë aftësinë e kryeministrit Hoti për t’u angazhuar në dialog dhe negociata serioze. Pra, ekziston një klimë shumë e pasigurt politike në Prishtinë dhe kjo e bën edhe më të vështirë për kryeministrin Hoti. Nuk do të thotë se nuk do të diskutohet asgjë, nuk do të thotë se nuk do të arrihet pajtim për asgjë, por sigurisht që është një ndërlikim shtesë”, ka thënë ai.