Dita e Çlirimit të Shqiponjës, fjala e protagonistit kryesor, Gjeneral Lahi Brahimaj

Dita e Çlirimit të Shqiponjës, fjala e protagonistit kryesor, Gjeneral Lahi Brahimaj

Me rastin e Ditës së Çlirimit të Shqiponjës, qendrës së rezistencës për liri, sot nga ora 12:00, janë zhvilluar homazhe dhe nderime në Kompleksin Memorial të Shqiponjës (Jabllanicë e Dushkajës).

Kanë marrë pjesë përfaqësues politik, gjeneral, luftëtar e protagonist të kësaj ngjarjeje të madhe të historisë më të re kombëtare.

Ka marrë pjesë edhe ish-kryeministri i Kosovës, kreu i AAK-së, ish-komandant i Zonës Operative të Dukagjinit në UÇK, Ramush Haradinaj.

Në mbyllje të ditës, në cilësinë e nikoqirit dhe në emër të vëllëzërve Brahimaj, ka shkruar një prej protagonistëve  kryesor të kësaj ngjarjeje, Gjeneral Lahi Brahimaj.

Postimi i plotë:

“Sakrifica për çlirim, rezistenca shekullore ndaj pushtuesit janë ato që i dhanë emrin Shqiponjës.

Çerdhe e lëvizjes shqiptare në vitet ‘90, Jabllanica e Dushkajës ishte zona e parë e lirë në Kosovë.

Sot kujtuam 17 majin e vitit 1999, Ditën e Çlirimit, kur u përmbyll beteja dyjavore për rikthimin e pozicioneve dhe territorit të lirë. Kjo ngjarje mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë historike. Shqiponja e viganëve që shkrepën krismat e para të kryengritjes, u çlirua për të mos u robëruar më kurrë. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!”-ka shkruar me këtë rast gjeneral Lahi Brahimaj.