Azemi i AAK-së: Gjukanoviç i shuan kauzat e rrejshme rreth demarkacionit

Azemi i AAK-së: Gjukanoviç i shuan kauzat e rrejshme rreth demarkacionit

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç gjatë vizitës së tij zyrtare në Kosovë ka folur edhe për çështjen e kufirit.

Gjukanoviç ka thënë se është i sigurt që do t'i përmbahen dokumenteve të nënshkruara.

"Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për dikë që dëshiron të krijojë probleme, ne s’dëshirojmë që të krijojmë probleme në asnjë nga adresat tona dhe jam i sigurt që do t’i përmbahemi dokumenteve që kemi nënshkruar dhe se përmes punës së komisionit të përbashkët për demarkacion do të krijojmë kushtet e domosdoshme për korrigjime për të cilat do të pajtohemi që do të kontribuojë që ky kufi në demarkacionin e tij të jetë i logjikshëm dhe të jetë ashtu siç duhet të jetë dhe të mos shërbejë si burim in mosmarrëveshjeve dhe rrezikimit të marrëdhënieve tona”, ka thënë Gjukanoviç.

Lidhur me këtë deklaratë ka reaguar zyrtari për Informim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Azemi. 

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se Gjukanovic ua shuan kauzën e rrejshme rreth demarkacionit.

"Gjukanoviç ua shuan kauzën e rrejshme rreth demarkacionit. Vizita e sotme e presidentit malazez, Gjukanovic e demanton secilin që thotë se kryeministri Haradinaj e ka 'lëshuar' bajrakin në raport me kufirin në mes Kosovës dhe Malit të Zi në momentin që u bë kryeministër", ka thënë Azemi.

Ai ka shtuar se ish-kryesuesi i Komisionit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi nuk ka bën asnjë hap tutje pas ratifikimit në Kuvend dhe sipas tij, kjo është e qëllimshme.

"Thanë se aneks-marrëveshja nuk paraqet asnjë obligim dhe pjesa e kontestuar i ka humbur Kosovës. Nuk e dijmë për sa vend saktësisht bëhet fjalë, por e dijmë se ka ndodh një dakordim i dy presidentëve për korrigjimet atje ku ka dyshime nga një komision i përbashkët".

"Komisioni i Kosovës i kryesuar nga Shpejtim Bulliqi, sot kryetar i Podujevës nga radhët e VV-së, nuk ka bërë asnjë hap tutje atëherë. Personalisht me duket shumë e qëllimshme kjo", është shprehur ai.

Azemi ka shtuar se pas kthimit të kryeministrit Kurti nga, siç shprehet ai, udhëtimi i realizimit të ëndrrave të tij të kahmotshme, të nis procedurat për krijimin e Komisionit dhe të bëjë atë që i takon.

"Kosova duhet të insistoj në formimin e Komisionit të përbashkët dhe të nis puna. Nuk duhet të pritet nga Mali i Zi të merr iniciativën, anipse është shtet mik. Pra, Qeveria e Kosovës, menjëher pas kthimit të Kryeministrit Kurti nga udhëtimi i realizimit të ëndrrave të tij të kahmotshme, të nis procedurat për krijimin e Komisionit dhe të bëjë atë që i takon".

"E di, se ka lehtë sepse i humbë edhe kjo kauzë e rrejshme, por duhet ta bëjë për hirë të Kosovës dhe popullit të saj", ka përfunduar Azemi.